Kryetari i Kamenicës jep detaje për “Enigmën”, pas përfundimit të aksionit në Karaçevë

Kryetari i Kamenicës jep detaje për “Enigmën”, pas përfundimit të aksionit në Karaçevë

Aksioni i Policisë dhe Prokurorisë Themelore të Gjilanit në Karaçevë të Kamenicës ka përfunduar me sukses, raporton Gazeta Enigma.

Në këtë zonë u rrënuan tri kazino, u konfiskua një numër i konsiderueshëm i aparateve të lojërave të fatit dhe u prangosën dy persona.

Për aksionin ka folur edhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj, duke u shprehur se aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar dhe aty ka asistuar edhe komuna.

“Bëhet fjalë për tri kazino të rrënuara, kazino që kanë qenë të ndërtuara në mënyrë ilegale janë rrënuar”, ka thënë Rrahimaj për Gazetën Enigma.

Tutje ai ka theksuar se “kemi pas bashkëpunim që nga orët e para të mëngjesit, kemi qenë bashkë me Policinë dhe organet e drejtësisë”.

“Aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar dhe komuna ka shprehur gatishmërinë të asistojë në rastin e rrënimit”, përfundon kryetari Rrahimaj.

LEXO EDHE: Numri i personave që u arrestuan në Karaçevë dhe çfarë konfiskoi policia

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga ky aksion të cilin e ka quajtur të suksesshëm, teksa ka thënë se sot është goditur rrjeti i kazinove ilegale në Karaçevë.

“Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, shkruan Sveçla ndër të tjera në Facebook.

Ndërsa, aksione të Policisë së Kosovës kundër dukurive ilegale në Karaçevë ka pasur edhe në të kaluarën, por që sërish kanë nisur të lulëzojnë kazinot.

Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër 73 personave lidhur me rastin ‘Karaçeva’, në mesin e tyre ka edhe zyrtarë policorë./Gazeta Enigma/

Related Articles