Kryetari i Shoqatës së Infektologëve tregon se si është gjendja aktuale me COVID-19 në Kosovë

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve tregon se si është gjendja aktuale me COVID-19 në Kosovë

Lajmet për luftën në Ukrainë ndikuan që pandemia e COVID-19 të mbetet nën hije.

Por si është gjendja aktuale me pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve në Kosovë, Hamdi Ramadani, në një bisedë për Gazetën Enigma ka thënë se pandemia në vendin tonë ka shënuar rënie në ditët e fundit.

“Pandemia në vendin tonë tash e sa ditë ka shënuar rënie të madhe të rasteve pozitive me COVID-19. Por edhe më tutje mbesim në kujdes të shtuar dhe jo të relaksuar sepse virusi është prezent ende”, ka thënë infektologu Hamdi Ramdani.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve në Kosovë, Hamdi Ramadani

Infektologu Ramadani ka thënë se ka ende vende nëpër botë që po përballen me pandeminë dhe atë me raste të shumta.

“Greqia qe sa ditë po përballet me raste të shumta pozitive nga COVID-19, ku ka pasur me mijëra të infektuar me këtë virus”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit edhe vendet e rajonit kanë shifra të larta me raste pozitive me COVID-19.

“Vendet tjera që kanë raste pozitive me COVID-19, janë edhe Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia”.

Pas gjithë këtyre rasteve mbetet të kuptojmë se pandemia është ende prezentë gjithandej edhe pse në përgjithësi jo me raste alarmante sipas Ramadanit.

“Pra pandemia nuk ka përfunduar ende por është në rënje e sipër në nivel global” ka theksuar ai.

E gjithë kjo sipas Ramadanit është fal masave anti-COVID dhe imunizimit me vaksina.

“Kjo falë masave anti-COVID, antipandemike dhe së dyti vaksinimit në masë të qytetarëve në vend dhe gjetiu”, ka deklaruar ai.

Këto janë masat mbrojtëse që duhet t’i zbatojmë sipas infektologut.

“Duhet të vazhdohet me vaksinim dhe imunizim në masë sa më të madhe që mundemi, dhe vaksinimi me tri doza do jetë mbrojtja më e sigurt që mund të kemi deri më tani nga COVID-19”.

“Duhet respektuar masat e përgjithshme, pasi që akoma ka vende të mbyllura, vaksinimi dhe imunizimi janë masa që luftojnë pandeminë, dhe të shpresojmë që me këto masa mbrojtëse COVID-19 të përfundoj nga muajt e fundit të këtij viti”, ka përfunduar Ramdani.

Për shkak të rënies së rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovësndërpen marrjen e mostrave dhe testimin për SARS-CoV-2 si dhe lëshimin e rezultateve të testimit gjatë të dielave.

“Për shkak përmirësimit të theksuar të gjendjes epidemiologjike me SARS-CoV-2 në Kosovë, përkatësisht uljes së dukshme të rasteve me COVID 19 si dhe uljes të kërkesave për testim për SARS-CoV-2, IKSHPK njofton që pas një periudhe dy vjeçare të punës intenzive, ndërpen marrjen e mostrave dhe testimin për SARS-CoV-2 si dhe lëshimin e rezultateve të testimit gjatë të dielave”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Tutje nga ky institut njoftojnë se “qytetarët e Kosovës mund të testohen në IKSHPK për SARS-CoV-2 me RT PCR nga e hëna deri të shtunën gjatë orarit të punës 08:00 – 14:00”.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë shënuar dy vdekje dhe 49 raste të reja.

Po ashtu janë dhënë 257 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.816.525 doza të vaksinës.

Deri më tani 817.708 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Ndërsa në total numri i rasteve aktive është 831./Gazeta Enigma/

Related Articles