Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta të shtetit shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Për një rast të tillë tashmë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Ferizaj, pas denoncimit të një rasti ku viktimë është kryetari i një komune.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili është kërcënuar nga një qytetar i nacionalitetit serb.
Jevtiq ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i dyshuari kishte lëvizur me veturë në afërsi të shtëpisë së tij dhe të njëjtin e kishte kërcënuar me fjalë.
Njësitë policore kanë identifikuar të dyshuarin, mirëpo i njëjti ende nuk është kapur, pasi nuk dihet vendndodhja e tij.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do te merren posa të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit.