Kryetari i Vlorës, Dritan Leci ka thënë se duhet të ketë një përputhshmëri mes standardit të ofruar dhe çmimit të hoteleve, lidhur me turizmin në këtë qytet gjatë sezonës së verës.
Këto deklarata ai i bëri në një konferencë për media.
Leci ka thënë se si kryetar bashkie, kërkon që hotelet të mos bëjnë “kapërcime të frikshme” sa i përket çmimeve.
“Çmimet janë kërkesë-ofertë. Unë si kryetar bashkie gjithmonë them se hotelet mos të bëjnë ato kapërcimet e frikshme, ndonjëherë nisur nga kërkesa që ka për Vlorën, sepse ajo që është e rëndësishme në zhvillimin e turizmit, është zhvillimi i qëndrueshëm.
Duhet të ketë një përputhshmëri mes standardit të ofruar dhe çmimit që hotelet kanë. Vlora konsiderohet një qytet me çmime normale, pavarësisht se i ofron të gjitha”, ka thënë ai.
Ndryshe, Vlora është një prej qyteteve bregdetare më të vizituara nga kosovarët.