Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka kërkuar nga Kuvendi Komunal që të shtyhet mbajtja e seancës për shkarkimin e saj, kjo pasi ajo do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nesër duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se seanca do të mbahet nga ora 10:00
“Duke qenë se si përfaqësuesë politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë nga ora 8:00, nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time”.
” E njoftoj opinionin publik se së bashku me Munir Rexhepi, shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal, Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10:00 në Preshevë”, ka shkruar Sinani.
“Besoj në mirëkuptimin e kryetarit të Kuvendit, Sami Salihu, por edhe në përkrahjen e Këshilltarëve të tjerë Komunalë, për ta mundësuar praninë time në seancën ku është inicuar shqyrtim-propozimi për shkarkimin tim”./Gazeta Enigma/