Kthimi i fuqishëm i Dardan Berishës në formë lajm i mirë për KB Prishtinën

Kthimi i fuqishëm i Dardan Berishës në formë lajm i mirë për KB Prishtinën

Para fillimit të këtij edicioni, kur iu bashkua Sigal Prishtinës, Dardan Berisha, pranoi se i nevojitet kohë për ta kthyer formën. Dhe tani duket se Berisha po futet në formën më të mirë. Vlerësim i tillë mund të bëhet pas paraqitjeve të mira që fundori pejan i kishte në ndeshjet e fundit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Kthimin në formë Berisha e konfirmoi vikendin e shkuar, në ndeshjen kundër skuadrës së Bashkimit. Atë ndeshje e fitoi Prishtina, ndërsa Berisha ishte i pandalshëm duke realizuar 29 pikë, të cilave ua shtoi edhe gjashtë kërcime e shtatë asistime. Ndeshje të madhe së fundi kishte edhe ndaj Trepçës në Mitrovicë.

Në një intervistë për Kohën, Berisha ka theksuar se po kthehet në formën e tij, kurse ka paralajmëruar se me kalimin e ndeshjeve do të bëhet edhe më i papërmbajtshëm. Ai ka insistuar se aktualisht është në 60 për qind të formës dhe po punon maksimalisht që të jetë në top-formë për pjesën më vendimtare të sezonit. Për kthimin e formës së tij, Berisha ua atribuon meritat bashkëlojtarëve dhe trajnerëve. Aktualisht kapiteni i Prishtinës po luan me mesatare prej 16 pikëve për ndeshje në kampionat.

“Kam filluar të kthehem në formë, më nevojitet ende punë, normalisht më është dashur edhe kohë. Edhe ekipi ka këtu shumë merita, bashkëlojtarët dhe trajnerët që po më ndihmojnë. Për një muaj apo një muaj e gjysmë do të vij në formë edhe më të mirë, pasi momentalisht jam në 50-60 për qind të formës. Ka ende kohë po besoj dhe në ndeshjet kryesore do të jem 100 për qind i përgatitur. Shpresoj të mos kem lëndime dhe kjo është kryesorja. Për formën time nuk po brengosem sepse e di që do të jem gati”, është shprehur Berisha.

photo by: @Shpend Ahmeti

Ai ka pranuar se kohët e fundit është shumë i përkushtuar për ta kthyer formën, ndërsa thotë se e kanë motivuar të gjitha, përfshirë këtu edhe konkurrencën e fortë të skuadrave në ligë. Kthimi i formës së Berishës ka reflektuar edhe me një seri pozitive të Prishtinës, që tani po lufton që të futet në garat e plejofit prej dy pozitave të para.

“Kohën e fundit jam shumë i përkushtuar, pasi tash ka ardhur trajneri i ri, po ashtu ambiciet e klubit, përforcimet dhe konkurrenca në ligë kanë bërë krejt që unë të kem motiv edhe më të madh të punoj dhe të kthehem në formën më të mirë. Kryesorja është të mos kem lëndime, pasi për formën time nuk po shqetësohem aspak. Fillimisht atmosfera e mirë në ekip, përforcimet e qëlluara kanë bërë që kjo formë e mirë në përgjithësi të dëshmohet edhe në parket. Edhe me ekip kemi shumë punë për shkak se ka ardhur trajner i ri dhe i nevojitet kohë për ta futur sistemin e tij”.

Berisha ka thënë se synimi i Prishtinës është të fitojë të gjithë trofetë, sidomos titullin e kampionit. Mirëpo ka pranuar se i nevojitet edhe ndihma e të tjerëve. 34-vjeçari si kapiten e di rolin e tij shumë mirë, por thotë se i vetëm nuk mund t’ia dalë pavarësisht formës.

“Unë jam kapiten i ekipit edhe roli im është i madh, por nuk varet krejt prej meje por edhe prej bashkëlojtarëve dhe sistemit të lojës. Jam futur ta ndihmoj ekipin, por jo të jem kryesori. Unë e di si fitohen kupat dhe mund t’i fitojmë bashkërisht, sepse vetë nuk mund t’i fitoj”, shtoi Berisha. Ai në verë u kthye te Prishtina nga Peja.

Synimi i radhës i Berishës është Kupa e Kosovës, garë që do të mbahet muajin tjetër. Ai me Prishtinën tashmë e ka fituar Superkupën, por insiston se titulli mbetet synimi kryesor.

Prishtina nuk e ka fituar titullin në dy edicionet e fundit dhe Berisha insiston se ka potencial për ta kthyer këtë trofe edhe pse nuk do të jetë lehtë.

“Sezonin e kemi filluar me synimin t’i fitojmë të gjithë trofetë, që është vështirë. Por, hapin e parë e kemi bërë me Superkupë, edhe pse nuk ishim të kompletuar e as favorit. Kemi treguar potencialin që kemi. Me ndeshjet e fundit u dëshmua që rastësisht nuk e kemi fituar Superkupën dhe tani shkojmë për ta fituar kupën, por nuk do të jetë lehtë. Megjithatë, synimi kryesor është titulli, pasi Prishtina nuk e ka fituar dy-tre vjetët e fundit. Shpresoj ta fitojmë këtë vit pasi e kemi potencialin, por na nevojitet edhe fati si dhe varet edhe prej ekipeve të tjera”.

Berisha ka vlerësuar se liga këtë edicion është shumë e barabartë. Sipas kapitenit të Kosovës, ka ekipe që mund të befasojnë dhe të prishin planet e tjerave. Ai thotë se konkurrenca është më e fortë sesa në të shkuarën dhe krahas Prishtinës, Yllit, Pejës e Trepçës në garë është edhe Bashkimi, ndërsa nuk përjashtohen as Ponte Prizreni e Vëllaznimi.

Berisha ka luajtur edhe në periudha të kaluara te Prishtina dhe madje me shumë sukses. Karrierë ka bërë edhe në Poloni, Kroaci, Çeki e Itali. Është prej basketbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Related Articles