Mesfushori dhe kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, ka thënë se Ballkani u mposht por do ta provojë kualifikimin në ndeshjen e ardhshme kundër Dinamos së Zagrebit.
Kuç pas ndeshjes ka theksuar se Ballkanit i mungoi fati.
“Me kokën e nxehtë është vështirë për të folur. Kemi përgatitur lojën për ta fituar. Plzeni e ka kaluar grupin dhe ka luajtur pa presion. E kemi ditur që Plzeni është ekip i fortë fizikisht. Në pjesën e parë ka munguar fati për të shënuar. Portieri i tyre 2-3 herë priti tentimet tona, pastaj një lojtar tjetër e largoi topin nga vija e portës. Do ta provojmë kualifikimin në Zagreb. Kemi bërë shumë lojëra dhe nuk kemi presion. Faktikisht ne shkojmë për të fituar çdo ndeshje. Nuk jemi dorëzuar. Në pjesën e dytë kundërshtari luajti me kundërsulme. Në fund u mposhtëm, por kemi shans dhe do të luftojmë deri në fund. Tani kemi çdo tre ditë lojëra. Na mungoi edhe Walid Hamidi dhe Almir Kryeziu që u lëndua në stërvitje. Me ta do të ishim ndryshe sepse në momentin e fundit u desh ta ndryshonim edhe taktikën”, theksoi Kuç pas ndeshjes për “ArtMotion”.