Aktivistet e Lëvizjes për Demokraci kanë mbajtur një organizim simbolik protestues para Kryeministrisë në Tiranë, për ta kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, për marrëveshjen rajonale “Open Balkan”, e njëkohësisht edhe marrëdhëniet e tij me krerët serbë.
Para zyrës, aktivistët shpalosën një pano me fotografi të ndryshme që përfshinin kryeministrin Rama duke shtrënguar duart me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mexhid Ramusa nga Lëvizja për Demokraci u shpreh se përmes këtij aksioni simbolik, ata po shprehin pakënaqësinë ndaj ngjarjeve të fundit, e sidomos ndaj veprimeve të Edi Ramës.
“Kemi shprehë pakënaqësitë tona ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për lidhjet e tij me Vuqiçin, kriminelin serb, i cili ka bërë masakra në Kosovë dhe ia kemi prezantuar të gjitha faktet për lidhjet e tij me Millosheviqin, duke e kundërshtuar edhe nismën e tij për “Minishengenin Ballkanik”, tha ai.