Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sa i përket pranisë së barrikadave në veri të vendit ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është duke qëndruar gjatë tërë kohës në Mitrovicën Veriore dhe në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in, por që sipas tij KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë nga institucionet e Kosovës për heqjen e barrikadave.
“Sveçla nuk është duke qëndruar në Prishtinë, është në Mitrovicë tërë kohën, çdo ditë, është në kontakt të vazhdueshëm me komandën e KFOR-it për heqjen e barrikadave. KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë nga ne. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat e tilla”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës për strukturat ilegale të Serbisë ka thënë se është fillimi i fazës së fundit të tyre.
I pyetur për protestën e djeshme në veri, ai ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë dëshirojnë ta kthejnë Kosovën në vitet 1999.
“Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile, kur ka njerëz të armatosur aty, dëshirojnë që Kosova të kthehet në vitet 1999 dhe të cilët mbajnë parulla e fotografi të presidentit despotik Putin, ata të cilët synojnë të destabilizojnë Kosovën, do të dështojnë gjithmonë ashtu sic dështuan dje, synimi i tyre ishte të vijnë në Kosovë, nuk ishin në numër që ata e kishin paramenduar, ndërkaq organet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare natyrisht janë kujdesur për siguri dhe paqe”, ka vijuar Kurti.