Kurti apel qytetarëve: Mos lëvizni me vetura nëse nuk e keni të domosdoshme

Kurti apel qytetarëve: Mos lëvizni me vetura nëse nuk e keni të domosdoshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë apel qytetarëve që të mos vozisin me vetura sonte gjatë natës, për shkak të reshjeve dhe ngricave.

Kurti tha se sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës, pasi kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë.

Ai u bëri thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme.

“E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës së sontme, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke ju përshtatur kushteve atmosferike”.

Thirrja e plotë e Kurtit:

Të dashur qytetarë,

Sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës. Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë.

Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin. Është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përkatësisht pajisja e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

U bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës së sontme, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke ju përshtatur kushteve atmosferike.

Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë andaj edhe ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme.

I juaji,

Albin Kurti

Related Articles