Sot janë bërë 24 vjet nga masakra në Krushë të Madhe, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me këtë rast ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.
Ai fillimisht në nderim të dëshmorëve të kombit ka kërkuar që të mbajnë një minutë heshtje për rënien e tyre.
“Çdo fillim pranvere ne i kujtojmë e i përkujtojmë ata te cilët dhanë jetën e tyre, luftuan heroikisht për çlirimin e Kosovës, për lirinë, pavarësinë e për bashkimin tonë”, tha kryeministri Kurti.
“Në Krushë, në vendlindjen e bacës Ukë, të profesor Ukshin Hotit të cilët i kemi aq shume borxh për shkak se gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjekjen tonë politike që të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe me shtetin i cili na shërben të gjithëve si Republikë, këtu përkulemi me shumë mall dhimbje e pikëllim, por në të njëjtën kohë edhe me shumë dashuri krenari e admirim që i patëm këta burra e gra me në krye Ukshin Hotin dhe e arritëm çlirimin e vendit”, tha Kurti.
“Sot si institucione të Republikës, të shtetit me përgjegjësi dhe si qytetarë të Republikës e të shtetit, me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm të fëmijëve që s’kanë lindur ende të mos kalojnë nëpër këto vuajtje e humbje nëpër të cilat kaluam ne, po në të njëjtën kohë të kenë edhe të ardhme të ndritshme, në një Kosovë, në një rajon, në një Evropë e cila është e lirë, e bashkuar dhe e mbrotjur nga çfarëdo agresioni. Lavdi Ukshin Hotit dhe gjithë dëshmorëve të kombit”, u shpreh tutje Kurti.
Kujtojmë se më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.