Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji.
Në njoftimin e qeverisë thuhet se në takim u theksua përkushtimi i ekzekutivit për garantimin dhe respektimin e plotë të lirisë fetare, në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen dhe kontributin e dhënë nga Ipeshkvia e Kosovës. Ai e falënderoi Ipeshkvin për bashkëpunimin për Projektligjin për Liritë Fetare”.
“Duke biseduar për rëndësinë e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike, u konfirmua përkushtimi i qeverisë për ta rregulluar përmes ligjit. Në takimin e përbashkët me këshilltaren ligjore të kryeministrit, Tea Blakaj Hoxha, u bisedua për liritë fetare dhe trashëgiminë kulturore. U ritheksua mbrojtja e tyre përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të veçanta”, thuhet në njoftim.