Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çmimi i vajit prej 3.49 euro për një litër është artificial dhe i paarsyeshëm, duke thënë se çmimi identik i vajit në dyqanet anembanë Kosovës nuk është i rastësishëm, raporton Gazeta Enigma.
Pas vizitës që i ka bërë fabrikës për përpunimin e vajit në Gjilan, shefi i Qeverisë e ka quajtur të paarsyeshme rritjen e çmimit të vajit.
“Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë do të thoshin që ndoshta edhe është e rastësishme, por ishte 3.49 cent. Anembanë marketeve në Kosovë po na njoftojnë qytetarët e Republikës, konsumatorët përmes fotografive të rafteve, çmimi identik 3.49 euro. 3.50 ndoshta do të ishte e rastësishmen por nuk është e rastësishme kjo përputhje anembanë Kosovës”, tha ai.
“Është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye, nevoje, për një fryrje të tillë”.
“Aktualisht çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të çfryhen”, tha ai.
Ai tha se çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial dhe se po bëhet për shkak se tregtarët po dëshirojnë të përfitojnë nga kjo krizë.
“Çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëz që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore e jo nga gjendja reale në Kosovë”, deklaroi Kurti./Gazeta Enigma/