Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, kanë reaguar pas njohjes nga Sudani, pas kritikave nga opinioni për mosreagim nga dyshja pas lajmit.
Kurti ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Sudani, duke e cilësuar si një miqësi më shumë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se “shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re e popullit tonë një miqësi më shumë”.
“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona shpresojmë të zgjerohet dhe fuqizohet më tej. Urime qytetarëve të Republikës sonë dhe faleminderit Presidentit të Sudanit për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhënien mes dy vendeve tona, si dhe Presidentes sonë për angazhimin e saj e miqve dhe partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme”, u shpreh Kurti në një postim në Facebook.
Ndërkohë, Gërvalla tha se Kosova sot shënoi edhe një moment tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e saj ndërkombëtar.
Gërvalla u shpreh mirënjohëse ndaj Sudanit dhe presidentes Vjosa Osmani për punën e saj.
“Kjo njohje vjen vetëm pak javë pas lajmit të mirë nga Kenia, duke forcuar më tej praninë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në Afrikë dhe përtej saj. Jemi thellësisht mirënjohës Sudanit për këtë vendim, Presidentes Osmani për punën e saj, si dhe të gjithë aleatëve tanë që kontribuuan në këtë sukses të përbashkët diplomatik”, deklaroi Gërvalla.
“Presim me padurim ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike dhe bashkëpunimin konkret me Sudanin në fusha me interes të ndërsjellë”, u shpreh tutje ajo.