Kurti dikur akuzonte KFOR-in, kërkonte ndërhyrjen e policisë

Kurti dikur akuzonte KFOR-in, kërkonte ndërhyrjen e policisë

KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë po kujdeset për sigurinë e kosovarëve, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, pas eskalimit të situatës atje.

Së bashku me Policinë e Kosovës, ata po monitorojnë situatën, pasi disa serbë lokalë në veri, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Por, Kurti dikur e shpjegonte pak më ndryshe punën e KFOR-it në veriun e Kosovës.

Sipas Kurtit të 2011-s, atëherë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, në një diskutim në Kuvendin e Kosovës gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte kryeministër i vendit, deklaronte se pavarësinë e Kosovës duhet mbrojtur vetë meqë KFOR-i zbaton Rezolutën 1244 dhe është i interesuar ta mirëmbajë kufirin me Serbinë si kufi administrativ.

“KFOR-i po e zbaton Rezolutën 1244 dhe a e dini pse KFOR-i është në pikat 1 dhe 31? Sepse është e interesuar që ta mirëmbajë kufirin me Serbinë si kufi administrativ.  KFOR-i po e mbron rezolutën 1244, ne duhet ta mbrojmë pavarësinë. Nuk e mbron KFOR-i pavarësinë. Dhe kufiri me Serbinë bëhet kufi ndër-shtetëror, jo me KFOR-in atje, por me Policinë e Kosovës, me njësitë speciale të Policisë së Kosovës dhe me doganat e Republikës së Kosovës”, u shprehte Kurti para ligjvënësve atëkohë.

Në anën tjetër, pas 11 viteve, numri një i Qeverisë së Kosovës po pret pikërisht që KFOR-i t’i largojë barrikadat e vendosura nga serbë në veri të vendit.

Përmes fjalëve kundërthënëse, ai tashmë po kërkon nga KFOR-i, ta garantojë lëvizjen e lirë në veri, duke thënë se ky është edhe misioni i tyre – garantimi i “një ambienti të qetë dhe të sigurt, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim”.

Kurti bëri të ditur se po pret që KFOR-i të largojë barrikadat në rrugët e bllokuara në veri.

“Ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryejë këtë punë dhe ne po presim”, u shpreh Kurti të dielën e kaluar, në një konferencë për media.

Lëvizja e lirë është kufizuar në veri të Kosovës pasi janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.

Megjithatë, situata në veri ka qenë e tensionuar që nga fillimi i nëntorit, kur përfaqësues të komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. Situata ishte qetësuar përkohësisht pas arritjes së një marrëveshje mes palëve kosovare dhe serbe në Bruksel.

Zgjedhjet e planifikuara më 18 dhjetor dhe Lista Serbe u shtyen nga presidentja Vjosa Osmani, për në prill të vitit të ardhshëm.

Kurti tha se shtyrja e zgjedhjeve ishte për të mirën e komunitetit serb në veri në mënyrë që “ta krijojmë një hapësirë disamujore që të hiqet frika e të votohet lirshëm”.

Related Articles