Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se do ta sjellin për votim në Kuvend projektligjin për çmimet tavan.
Kurti tha se ka tregtarë e biznese të mëdha që po e keqpërdorin krizën për të rritur çmimet e produkteve. Ai shtoi se liria ekonomike, nuk mund të kthehet në liri për të shfrytëzuar dhe i bëri thirrje opozitës që ta përkrahë këtë projektligj.
“Edhe pozita edhe opozita kanë dëgjuar ankesat e qytetarëve për rritjen e çmimeve. Duhet ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan, si një përgjigje konkrete ndaj një realiteti që çdo familje e ndjen përditë. Bota po kalon nga kriza në krizë. Një luftë që ka nisur nuk përfundon, fillon një tjetër që as që e mendonim që do të nisë dhe nga pandemia e vitit 2020, tash te lufta në Ukrainë e së fundmi edhe kjo në Lindjen e Mesme ,ndërkohë që krizës ekonomike të vitit 2022, po i shtohet edhe ajo e vitit 2026, ju e dini që secilës sfidë i jemi përgjigjur me pako konkrete ekonomike.
Por, sikur në secilën krizë, dikush zgjedh të përfitojë. Ka tregtarë, biznese të mëdha që e kanë keqpërdorë krizën për të rritur megjithatë artificialisht çmimet. Andaj kur çmimi i produkteve bazike rritet përtej çdo logjike ekonomike, shteti nuk mund të fshihet prapa parimeve abstrakte. Ai duhet të ndërhyjë me maturi, por edhe me vendosmëri sepse liria ekonomike nuk mund të kthehet në liri për të shfrytëzuar dhe tregu nuk mund të jetë një hapësirë ku më i forti vendos gjithmonë mbi më të dobëtin. E njëjta iniciativë u pat kontestuar në Kushtetuese nga opozita. Tash shumë shpejt do ta risjellim këtu për ta votuar dhe presim që edhe opozita të reflektojë e të na mbështesë në këtë projektligj që i mbron nga abuzimi me çmime të larta të gjithë qytetarët”, tha Kurti në seancën e sotme të Kuvendit.
