Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në panelin për Ballkanin në Simpoziumin SYMI në Greqi.
Pjesë në këtë ngjarje, por në një panel tjetër njoftohet të ketë qenë edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Zyra e Kryeministrit në komunikatën e dërguar nuk ka treguar nëse ka pasur bashkëbisedim mes Kurtit e Lajçakut.
“Ky bashkëbisedim i parapriu dy paneleve diskutuese për Ballkanin, në njërin prej të cilit mori pjesë emisari e ndërmjetësi evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftim.
Por tutje në komunikatë thuhet se në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit, Kurti zhvilloi një bashkëbisedim me ish-kryeministrin grek, George Papandreou.
“Kurti e falënderoi për organizimin e këtij simpoziumi në të cilin marrin pjesë politikanë e diplomatë progresistë, akademikë e ekspertë të shquar. Në pyetjet e ish- kryeministrit grek, ai njoftoi audiencën me punën e institucioneve në Kosovë, me theks për përparimin demokratik, ekonomik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, politikat sociale dhe pluralizmin politik”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se u diskutua edhe për raportet midis shteteve në Ballkan, integrimin evropian dhe marrëveshjen bazike me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve.