Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në tubimin e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale, ka folur edhe për buxhetin e vendit, duke thënë se ai s’i jep paratë e shtetit për ‘’ata kryetarë që nuk dinë të punojnë apo për ata që vjedhin’’.
Kurti u ka kërkuar qytetarëve që të mos t’i votojnë ata që ‘’nuk dinë dhe nuk e duan punën’’.
‘’Ne duam që Kosova të jetë e banuar në të gjitha anët e saj cep me cep, nuk e duam braktisjen e fshatrave dhe as qytezave, këtë gjë në Evropa kanë arritur ta bëjnë Gjermania dhe vendet skandinave si askush tjetër. Populli i Kosovës e ka një pjekuri të rrallë, patriotizëm shembullor dhe një rini moderne, keni për ta parë se ky popull do t’i befasoj në balotazh dhe do të votojë kundër bllokimeve dhe blloqeve të prapaskenës.
Ju e dini unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetarë të cilët nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë dhe nuk duan punën, e as ata që dinë e duan vjedhjen’’, ka thënë ai mes tjerash.
