Kurti e Osmani në SHBA, mediumi serb: Uashingtoni çoi disa porosi në Beograd

Kurti e Osmani në SHBA, mediumi serb: Uashingtoni çoi disa porosi në Beograd

Gazeta serbe “Danas” i ka kushtuar një artikull takimit të djeshëm në Washington në mes të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, dhe krerëve të Kosovës, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Sipas burimeve të kësaj gazete, zhvillimi i djeshëm në Washington ka përçuar disa mesazhe edhe për Serbinë.

“SHBA-të e zgjodhën një moment të tillë për vizitën si nevojë për të konfirmuar prezencën e tyre në rajon, tashmë që po flitet për rrezikun e sigurisë si rezultat i influencës Ruse në disa pjesë të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Serbi, e cila duket se po vonohet apo mbase edhe s’po dëshiron që të respektojë politikën e Perëndimit rreth sanksioneve dhe konfliktit në Ukrainë, prandaj është shumë e rëndësishme që SHBA të fuqizojë bashkëpunimin me Kosovën”, kanë thënë këto burime për Danas.

Ky burim i Danas ka thënë se ajo çfarë është rezultat i këtij takimi mund të shihet në dy aspekte, në forcimin e pavarësisë energjetike të Kosovës, pra që do të ketë nevojë më të vogël për import të energjisë elektrike nga Serbia dhe tjetra, mbështetja politike për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

 “Me zgjerimin e kapaciteteve energjetike të Kosovës falë investimeve nga SHBA-të, në të ardhmen do të zvogëlohen ndjeshëm nevojat për kapacitete energjetike nga Serbia”, ka thënë ky bashkëpunëtor i “Danas”

Aspekti i dytë i takimit është ai politik, që do të thotë se SHBA-ja ka dërguar një mesazh edhe më të qartë se nuk do ta neglizhojë këtë rajon dhe se e di shumë mirë se cilët janë aleatët e saj, por edhe kush largohet nga pozicionet e tyre.

“Të theksosh se SHBA-ja ofron mbështetje për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, praktikisht do të thotë konfirmim se moratoriumi nga Marrëveshja e Uashingtonit për të cilin ishte angazhuar Prishtina se nuk do të lobonte për një vit, ka skaduar”, ka shtuar ky burim për “Danas”

“Blinken në mënyrë indirekte i dha dritën jeshile Kosovës që të vazhdojë me kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe Prishtina tani do të ndihet e inkurajuar për të kërkuar ulëse në Këshillin e Evropës”, ka përfunduar ky burim për “Danas”

Related Articles