Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzave nga Prokuroria Speciale, për sulmin terrorist në Ibër Lepenc.
Si rezultat i një bashkëpunimi edhe me ndërkombëtarët, Kurti e ka vlerësuar punën dhe hetimin “të suksesshëm”.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
Pas një bashkëpunimi të shkëlqyer, hetimi të suksesshëm të kryer nga institucionet relevante të inteligjencës dhe sigurisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datë 8 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit të datës 29 nëntor 2024.
Siç e kam thënë në konferencën e jashtëzakonshme, pak orë pas shpërthimit të kanalit, në bazë të informacioneve që kam marrë nga institucionet e sigurisë, sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor.
Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast.
Mund t’ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit.
Procesi gjyqësor do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist.
Përkundër faktit se Beogradi zyrtar mohonte përgjegjësinë dhe u angazhua fuqishëm përmes veprimeve hibride në dezinformimin e opinionit, duke ngritur dyshime nga më të ndryshmet për përgjegjësit apo motivet e aktit terrorist, aktakuza e ngritur dhe epilogu i rastit, pa fije dyshimi, do të konfirmojnë të dhënat dhe vlerësimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat me siguri të plotë i kam thënë edhe më parë në dy konferenca për medie (më 29.11.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i…/ dhe më 24.12.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i-plote-i…/) si dhe gjatë vizitës në Varagë të nesërmen (https://www.facebook.com/share/p/1AaYQ1whaq/?mibextid=wwXIfr).
Integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë, sundimi i rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim, janë vlera jetike për të cilat angazhohemi ditë e natë dhe për të cilat nuk do të ndalemi asnjëherë. Rasti i fundit dëshmon që në Kosovë nuk kalon pa ndëshkim terrorizmi, sado perfid të jetë, dhe nuk mund të kalojë pa u vërejtur dhe dekonstruktuar dezinformimi.
Falënderojmë institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me ShBA-të, institucionet, aktorët tjerë dhe qytetarët, për kontributin që po ofrojnë për një Kosovë gjithnjë e më të sigurt e paqësore, më të fuqishme në aspektin ekonomik, ligjor, integrues dhe demokratik.
