Kurti e Vuçiqi “betonojnë” qëndrimet që i dhanë gjatë ditës

Kurti e Vuçiqi “betonojnë” qëndrimet që i dhanë gjatë ditës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë përsëritur qëndrimet për targat RKS që i dhanë gjatë ditës.

Dy liderët kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për “të betonuar” këto qëndrime, Kurti në Twitter e Vuçiqi në Instagram.

Kreu i ekzekutivit kosovar thotë se vendimi për veturat me targa të Serbisë për të mos i lejuar të qarkullojnë në Kosovë nuk është as provokues e as diskriminues.

“Ky nuk është një provokim, as diskriminues. Në këtë masë reciproke, ose Kosova dhe Serbia kanë të drejtë ose të dyja gabojnë. Ose ne i mbajmë të dy llojet e targave ose ato do të hiqen krejt. Liria e lëvizjes është një e drejtë që nuk duhet dhe nuk do të shkelet nga Republika e Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Ai këtë qëndrim e dha pas takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it sot gjatë ditës.

E njëjtë, duke përsëritur atë që ka thënë sot, ka vepruar edhe i pari i shtetit serb. Ai ka nxjerr një video në Instagram me disa nga deklaratat e dhëna sot pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ku kërkoi tërheqjen e forcave policore të Kosovës nga veriu.

“Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së plotë, por edhe për siguri të plotë për popullatën serbe në Kosovë. Serbia është gjithmonë e gatshme të vazhdojë dialogun në Bruksel, por nuk do të pranojë zgjidhje të imponuara nga veprimet kriminale të njëanshme”, tha Vuçiqi.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për masë reciprociteti për targat ka nxitur reagime ne Beograd dhe te serbët në veri, të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë ftuar palët të ulin tensionet, por edhe të mundësojnë qarkullimin e lirë. Kjo ka penguar Vuçiqin, pasi sipas tij, nuk mund të krahasohen Kosova e Serbia.

Related Articles