Kurti: Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Kosovës

Kurti: Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar policin Enver Zymberi, i cili vdiq në krye të detyrës – 12 vjet më parë në aksionin e famshëm në veri të Kosovës.

Kurti nga SHBA-ja ka thënë se Zymberi u vra nga struktura kriminale serbe, që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë.

“Në kronologjinë e shtet ndërtimit të Republikës së Kosovës, disa data janë të shënjuara edhe me emra të përveçëm, sikur 26 korriku i vitit 2011, kur gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, pati rënë dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi”.

“Ushtar i UÇK-së në luftë më 1999, Enver Zymberi ra dëshmor i veshur me uniformën e policisë, në kryerje të detyrës zyrtare dhe në bartje të misionit për shtrirjen e plotë të sovranitetit”, tha Kurti.

Tutje theksoi se Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës, për çka shteti ynë asnjëherë nuk do ta harrojë, sepse Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të heq dorë nga sovraniteti i saj dhe as nga shteti ligjor dhe i së drejtës.

“Dikur, për dekada rresht, shqiptarët kanë rënë dëshmorë për një Republikë të Kosovës që e synonim por që nuk e kishim, kurse tani që e kemi Republikën e Kosovës, ajo ka edhe dëshmorët e përplotësimit dhe ruajtjes së saj, sikur Enver Zymberi”, deklaroi kreu i Qeverisë.

Kryeministri shtoi se çdo përvjetor i rënies së Enver Zymberit, rikthen britmat e kujtesës tonë institucionale, për t’i çuar para drejtësisë ata që e vranë dhe për t’i rimenduar mësimet e mësuara nga aksioni i filluar më 25 korrik 2011, aq të nevojshme në rrugën tonë për forcimin e rendit e ligjit dhe për ruajtjen e sovranitetit të plotë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Në nderim të veprës së Enver Zymberit dhe policëve të rënë në detyrë, në mbledhjen e 24-të të Qeverisë, është propozuar që 26 korriku të shënohet si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës.

“I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdia e heroit të Republikës sonë, Enver Zymberi”, shkroi Kurti.

Related Articles