Në Paris është mbajtur sot Forumi i parë Ekonomik i Kosovës, të cilin e ka hapur kryeministri Albin Kurti, shkruan Enigma.
Në fjalën e tij, Kurti u ka bërë ftesë kompanive franceze që të investojnë në Kosovë.
“Kjo është më shumë se një ftesë për të investuar në Kosovë. Është ftesë për të qenë pjesë e transformimit tonë dhe ftesë për të rritur e thelluar miqësinë tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë, një rajon më prosperues dhe një të ardhme për të cilën të gjithë mund të krenohemi”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ai ka renditur arsyet dhe ka veçuar sektorët me më së shumti mundësi për investime të huaja.
“Pozita gjeografike e vendit, rinia e arsimuar, e talentuar, kreative, që flet më shumë se një gjuhë të huaj, politikat fiskale dhe sistemi tatimor i leverdishëm, progresi demokratik në vitet e fundit, sundimi i ligjit, stabiliteti institucional dhe investimet në infrastrukturë, si dhe planet për mbi 50 projekte të infrastrukturës në transport, mjedis dhe energji, janë elementet kyçe që e bëjnë Kosovën tërheqëse për investitorë të huaj, veçoi kryeministri Kurti”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Në këtë forum ka marrë pjesë edhe Ministri i Francës për Evropë, Benjamin Haddad.
Haddad, sipas njoftimit, ka thënë seka shumë ndërmarrje franceze që janë të interesuara të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë.
“Ai shtoi se Franca e mbështetë perspektivën ekonomike të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë prezantimit të tij, ka folur projektet infrastrukturore që lidhin Kosovën me rajonin, me fokus të veçantë në lidhjet dhe infrastrukturën hekurudhore.
Ndërkohë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është shpreh se “me norma të rritjes ekonomike më të larta në rajon, qeverisje të mirë, luftë kundër korrupsionit e informalitetit, e vlera të përbashkëta me kombet e familjes evropiane, Kosova është gjithnjë më tërheqëse për investime nga shtetet evropiane.”
Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka thënë se “viteve të fundit Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm në avancimin e politikave dhe reformave ligjore në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe thjeshtëzimin e procedurave të të bërit biznes fer dhe konkurrues të nxitur nga inovacioni dhe prodhimi”.
Ftesë për investime në agrikulturë dhe në sektorin e procesimit të ushqimit, bëri edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cila tha se Strategjia Kombëtare e Zhvillimit 2030 synon një mjedis miqësor për bizneset në bujqësi dhe i jep përparësi inovacionit dhe parimeve të ekonomisë qarkulluese për të rritur konkurrencën dhe qëndrueshmërinë.