Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ftuar të gjitha subjektet politikë në Kosovë për diskutim rreth çështjes së vettingut në sistemin e drejtësisë.
Kurti, në Kuvend, deklaroi se është i gatshëm t’i vazhdoj edhe më dendur takimet me krerët e subjekteve politike.
“I falënderoj Partinw Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për diskutimet që i kemi pasur për çështjen e vettingut në sistemin e drejtësisë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë që takohemi në Kuvendi dhe nuk kemi nevojë që të takohemi si subjekte politike, unë besoj që është e nevojshme që të takohemi si subjekte politike dhe jam i gatshëm që të vazhdojë ky proces i konsultimeve me të gjitha partitë politike – jo vetëm për shkak se nevojiten ndryshimet kushtetuese por se bëhet fjalë për një proces me shumë vendime që tejkalon mandatin tonë e mbase edhe mandatin pas mandatit tonë”.
“Për sistemin e drejtësisë ku duhet të ketë vetting jemi dakorduar dhe unë jam i gatshëm t’i vazhdojmë edhe më dendur takimet me krerët e subjekteve politike” deklaroi Kurti.
Mes tjerash, Kurti, kërkoi që të mos futen në një thes Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe vettingu.
“Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta. Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe vettingu në sistemin e drejtësisë nuk janë e njëjta gjë”.
“Nuk është mirë të fusim gjithçka në një thes kur nuk e kanë vendin aty, duke e ditur që procesi i vettingut merr kohë i vetmi efekt është që të shtyhet Byroja Shtetërore dhe ky është gabim pasi këto të dyja janë dy gjëra të ndryshme dhe mos i fusni në një thes sepse nuk janë bashkë. Njëra ka të bëjë me të gjithë zyrtarët shtetëror e tjetra vetëm me sistemin e drejtësisë”, tha Kurti.