Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ndërmarrjes së sapo themeluar gjermano-kosovare, që shënon edhe suksesin e parë të themelimit të parkut gjerman të biznesit, në fushën e inxhinierisë mekanike në Kosovë.
Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti para të pranishmëve tha se investimet e tilla, bashkë me institucionet demokratike dhe qeverisjen e mirë, e bëjnë Kosovën atraktive për investitorët e huaj dhe krijojnë një mjedis miqësor për biznese.
Për këtë qëllim, kryeministri Kurti tha se qeveria tashmë ka nisur një seri të reformave strukturore në sistemin e drejtësisë dhe administratë publike
Ai veçoi rëndësinë e themelimit të Gjykatës Komerciale e cila, siç u shpreh pritet të funksionalizohet brenda dy muajve të ardhshëm e që do të rrisë sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja.
Më tej Kurti shtoi se sektori privat është shtylla kryesore për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, e që të dy këto janë komponentë kryesore të platformës qeverisëse.
Andaj, duke i falënderuar investitorët, Kurti i siguroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është këtu për t’i mbështetur ata në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.