Kuvendi i Kosovës, të martën ka dështuar të konstituojë përbërjen e legjislaturës së re. Deputetët e zgjedhur nuk arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, shkruan Gazeta Enigma.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë votuar kundër raportit, për shkak se, sipas tyre, anëtarët e Qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – nuk i kanë dorëzuar me kohë dorëheqjet e tyre nga postet ekzekutive, siç parashihet me Ligjin për Qeverinë.
Përpos një lëvizje të panjohur në historinë e pas pavarësisë, 52 votat pro këtij raporti ngritën edhe një pikëpyetje tjetër – A i ka Albin Kurti numrat e mjaftueshëm për krijim të Qeverisë?
Për t’u emëruar sërish si kryeministër, Kurtit i duhen 61 vota.
48 deputetë janë nga partia e tij të zgjedhur nga populli më 9 shkurt, ndërkohë që Kurti po ashtu mbështetet në 10 votat e partive të pakicave joserbe, si dhe zërat qarkullojnë tash e sa kohë për një marrëveshje mes Kurtit dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, për koalicion.
Nisma i ka tre deputetë në Kuvend. Kur jemi tek këta deputetë, të njëjtit ishin të vetmit që votuan në linjë me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pro raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
“Deputetë të Nismës u treguan më të kthjellët sesa gjithë deputetët e opozitës”
I pyetur nga Gazeta Enigma se a ka marrëveshje LVV-Nisma për koalicion qeverisës, deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Valon Ramadani, tha se “kur të mbahet seanca do e kuptoni”.
Madje, i njëjti pati disa fjalë miradie për tre deputetët e Nismës që votuan pro raportit, duke thënë se u treguan konstruktiv dhe “më të kthjellës se gjithë deputetët e opozitës”.
“Ata u treguan shumë konstruktiv. Deputetët e Nismës treguan se edhe pse nuk kanë qenë në Kuvend për një kohë të gjatë, treguan se kanë memorje historike për këtë punë. Ata tre deputetë të Nismës u treguan më të kthjellët sesa gjithë deputetët e opozitës”, tha Ramadani për “Enigmën”.
“Përpjekje për ta futur në krizë Kuvendin”
Sa i përket votave kundër nga PDK, LDK dhe AAK, Ramadani e quajit këtë “përpjekje për ta futur në krizë Kuvendin”.
“Opozita kanë votuar diçka kundër, që është e çuditshme. Është hera e katërt që unë betohem si deputet dhe nuk mbaj mend të ketë pasur problem për një çështje që është teknike e që nuk ish dashtë të bllokohet, mirëpo opozita tentoi ta fusë në një lloj krize Kuvendin. Edhe mandatin e vetë nuk e pranojshin. Ata votuan kundër një raporti që është krejtësisht formal. Ata që votuan kundër raportit, duke përfshirë Listën Serbe, ishte për ta futur në krizë Kuvendin”, deklaroi deputeti Ramadani.
I pyetur edhe për mosvotimin nga deputetët e pakicave joserbe, në të cilët Kurti mbështetet për formimim koalicioni, Ramadani tha se të njëjtit nuk ishin të pranishëm në sallë, në momentin kur po bëhej votimi.
“Ata erdhën nga një mbledhje për të njëjtën çështje dhe sigurisht se ka pasur diskutime që mes veti kanë mbetë duke vazhdu dhe nuk kanë hyrë në sallë për atë punë. Ajo ndodhi shumë shpejtë, madje nuk besoj që e ka mendu dikush se një gjë e tillë nuk votohet. Secili deputet që ka ardhur dje, ka ardhur me idenë se do betohet”.
Kurti e bën Qeverinë – sa të vjen momenti
Deputeti tjetër i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, tha për Gazetën Enigma se Qeveria me kryeministër Albin Kurtin, do bëhet “sa të vjen momenti”.
“Sa të vjen momenti, besoj që po. Besojmë dhe kontribuuojmë për këtë çështje. Në proces është, hapi i parë ka ndodh. Vetëvendosja e ka pasë dhe e ka vullnetin dhe gatishmërinë, edhe mundësinë e ka”, tha Zyba për “Enigmën”.
Çka tash?
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës thekson se në rast se seanca për konstituimin e legjislativit ndërpritet, ndërprerjet “nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se nesër, nga ora 10:00, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e LDK-së do të jenë prezent në seancën “që duhet të ndodhë”.
Ndërkohë, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila po ashtu ka fituar mandatin e deputetes në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka paralajmëruar krizë institucionale.
Gërvalla ka theksuar se përsëritja e votimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, nuk parashihet me dokumente dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës dhe se tashmë procedurat janë ndërlikuar.
“Kemi arritur në një pikë ku mund të jetë tërësisht e pamundur të vazhdohet konstituimi i këtij Kuvendi”, ka thënë Gërvalla. /GAZETA ENIGMA