Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Ne jemi vendi më demokratik në Evropë

Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Ne jemi vendi më demokratik në Evropë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thumbuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq sa i përket akuzave të tij se Kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, u suspendua me urdhër të Kurtit.

Përmes një postimi në Twitter Kurti ndër të tjera ka thënë se “ai nuk është as kryesues e as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës”.

“Unë nuk jam as kryetar, as anëtar i Këshillit Gjyqësor. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Ky nuk është rasti i gjyqtarit Stevanoviç. Ne jemi vendi më demokratik në Evropë , plotësisht të lidhur me NATO-n”, shkruan kryeministri Kurti.

Ndryshe, në Mitrovicën Veriore dhe në Graçanicë këtë të premte serbët kanë protestuar pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti ua ka ndaluar të votojnë në Kosovë për zgjedhjet serbe të tre prillit, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka dalë me një mesazh, siç e ka quajtur, “urgjent” për t’i thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më.

“Të nderuar qytetarë, me urdhër të Albin Kurtit është ndërruar kryetarja e Gjykatës Themelore, gjyqtarja serbe Ljiljana Stevanoviç”, potencoi të enjten Vuçiq.

“Albin Kurti vendosi të sulmojë serbët, ai e shkeli Marrëveshjen e Brukselit dhe, sipas vullnetit të tij dhe atyre që e mbrojnë, Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”.

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, theksoi se të gjithë të angazhuarit e komunitetit serbë në institucionet e Kosovës do ta pezullojnë punën e tyre, për shkak të suspendimit të kryetares e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

“I dërgoj një mesazh Albin Kurtit, Policisë së Kosovës se nuk do të na frikësoni. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë shqiptarët në Kosovë”, tha Rakiq.

LEXO EDHE: Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës, por a mund të bie Qeveria?

Ndërsa, shtetet e Quint-it kanë shprehur shqetësim se në protestat e paralajmëruara sot nga qytetarët serbë në veri të Kosovës mund të ketë rrezik për përshkallëzim të dhunës.

Në një deklaratë të përbashkët, shefat e misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje që protestat e sotme të jenë paqësore dhe të mos kalojnë në dhunë./Gazeta Enigma/

Related Articles