Kryeministri Albin Kurti i ka vazhduar thirrjen për të kontribuuar në Fondin e Sigurisë, raporton Gazeta Enigma.
Kurti ka thënë se pa ushtri cilësore dhe pa popull aktiv asnjë projekt nuk është i sigurt.
Ai deklaroi nëpërmjet një postimi në Facebook se kontributi dhe sakrifica kryhet në të tashmen për të mbrojtur sigurinë e së ardhmes.
“Historia jonë ka qenë gjithnjë artikulim i ndjenjës së lirisë ndër njerëzit tanë. Çdo familje e jona e ka prekur sakrificën. Populli ynë e di më shumë se kushdo tjetër se çdo arritje duhet të sigurohet. Nëse shekulli i shkuar ishte ai rezistencës, shekulli XXI është shekulli i shtetndërtimit. Ai e di se dialektika e historisë sonë ka kaluar nga rezistenca te liria, nga liria te siguria. Sikurse e di edhe se pa ushtri cilësore dhe pa popull aktiv, asnjë projekt nuk është i sigurt”, ka shkruar Kurti.
Vendimi për themelimin e Fondit, sipas të parit të Qeverisë, është marrë në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë.
Fondi i Sigurisë u themelua më 1 mars, derisa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë nisur të dhurojnë mjete financiare për të./GazetaEnigma/