Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për A2CNN ka thënë se të tjerët kanë pritur që pasi të vijë në pushtet ta realizonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjë të cilën ai e ka quajtur ‘absurde’, njofton Gazeta Enigma.
“Këta kanë pritur që unë vi në pushtet dhe ia kryej Asociacionin e Hashim Thaçit a? Nuk është reale kjo punë, është absurde. Paskan pritur që të vijë unë që e kundërshtoja ‘Zajednicën’ dhe ta kryejmë ‘Zajednicën’. Jo, ne kemi marrëveshje të re. Marrëveshja e re është Marrëveshja Bazike me aneks të zbatimit. Neni 7 thotë ‘vetëmenaxhim i komunitetit serb”, tha Kurti.
“Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është dashur që ta kryejnë këta me Hashim Thaçin”, shtoi ai.
Ai po ashtu i bëri thirrje Serbisë që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazike dhe të ecin para.
Kurti tha marrëveshja bazë për Asociacionin e vitit 2013 i ka 15 pika, për të cilat tha se gjashtë janë për “Zajdenicën”, kurse katër janë për integrimin e serbëve.
“Marrëveshjen më të dashur që e ka Serbia, ajo i kërkon vetëm 6 nga 15 pikat. Ndërkohë 60 përqind që e ka shkelur vetë, nuk do që ta përmendim. Marrëveshja e vitit 2013 është shkelur nga Serbia sepse Beogradi i ka dhënë urdhër më 5 nëntor 2022, katër kryetarëve në veri, 10 deputetëve në parlament dhe të gjithë policëve, gjykatësve dhe prokurorëve në veri të japin kolektivisht dorëheqje. Nuk mund të kërkosh nga unë që të zbatojë 40 përqind të një marrëveshjeje që 60 përqind e ka tshkelur”, deklaroi i pari i Qeverisë së Kosovës. /Gazeta Enigma