Kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari, Glauk Konjufca si dhe ministrja Albulena Haxhiu kanë pranuar një kërkesë zyrtare nga Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.
Në këtë dërgesë është kërkuar rritja e fondeve për nevojat e mbrojtjes juridike të krerëve të UÇK-së.
“Bordi i Fondacionit përmes kësaj letre i shkruan krerëve të institucioneve se “vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike që është bërë përmes Udhëzimit Administrativ MD-NR.01/2024 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ MD – Nr.08/2022 për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore nga Dhomat e Specializuara, ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij”.
Në mungesë të mjeteve financiare, Fondacioni thotë se i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë.
Ndërkaq edhe avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme, respektivisht nga fundi i këtij muaj.
Në këtë mënyrë, kjo do të kishte për pasojë jo vetëm penalizimin e ekipit mbrojtës të z. Thaçi, por do ta pezullonte apo shtyente vetë procesin gjyqësor edhe për së paku gjashtë muaj shtesë, deri në zëvendësimin e tij me një avokat tjetër, të cilit do t’i duhej kohë e konsiderueshme për tu njohur me rrethanat e rastit dhe procedurën gjyqësore katërvjeçare që është duke u zhvilluar. Prandaj, si Fondacion të gjendur në rrethana të pamundësisë për t’i ofruar mbështetje financiare për nevojat financiare të ekipit mbrojtës të z. Thaçi, e vlerësojmë urgjente dhe të domosdoshme një mbështetje financiare shtesë, në mënyrë që të sigurohet vijimi i mbrojtjes efektive për ish Presidentin Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij. Nga ana tjetër, Fondacioni, përkundër se është themeluar pikërisht për të ofruar një burim alternativ të mbështetjes financiare me qëllim të lehtësimit të barrës financiare të buxhetit publik përkitazi me këtë proces, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshëm dhe të pa objekt këtë kërkesë”, thuhet në kërkesën e Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.
Fondacioni për ish-presidentin Hashim Thaçi konsideron se përmes mbështetjes financiare shtesë nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, do të mundësohet edhe qasja efektive në drejtësi, respektivsht në garancionet që derivojnë prej saj, të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen edhe në të drejtën për t’u mbrojtur nga mbrojtës të zgjedhur me vullnet të lirë, pa iu nënshtruar asnjë kufizimi.
“Pamundësia financiare për ta mbrojtur në mënyrë efikase çështjen para Dhomave të Specializuara, jo vetëm për ish-presidentin Thaçi, por edhe cilindo person të akuzuar e vendosë në pozitë të pabarabartë në raport me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e cila ka buxhet pakrahasimisht më të madh për kryerjen e funksioneve të saj”, thuhet në letër.
Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit” beson se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara, në instancë të fundit i shërben vetëm drejtësisë, respektivisht mundësive efektive për të mbrojtur integritetin e kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së. /Gazeta Enigma