Kurti: Kosova duhet të kryesojë organizata rajonale në të cilat është anëtare

Kurti: Kosova duhet të kryesojë organizata rajonale në të cilat është anëtare

Liderët nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, më 3 nëntor nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, nikoqir i të cilit ishte kancelari gjerman Olaf Scholz.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se  për arritjen e këtyre marrëveshjeve të rëndësishme, e ka falënderuar kancelarin gjerman Scholz, për punën e bërë nga qeveria gjermane si dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për angazhimin.

“Kosova është partner dhe aktor proaktiv dhe konstruktiv. Andaj theksova se ne kërkojmë bashkëpunim të bazuar në respekt reciprok dhe barazi, e bashkëpunim që promovon rregullat dhe vlerat e BE-së, që mundëson përparimin dhe avancon demokracinë”, ka thënë Kurti, përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se “marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen dhe pozita e Kosovës në procese rajonale duhet të përmirësohet. Kosova duhet të kryesojë organizata rajonale në të cilat është anëtare dhe të jetë nikoqire e tyre”.

“Në sesionin e sigurisë së furnizimit me energji, adresova faktin se Kosova është me fat që nuk mbështetet në gazin e Rusisë, por megjithatë mbështetemi në importin e energjisë elektrike, e veçanërisht gjatë dimrit. Kriza energjetike, e rënduar nga agresioni rus në Ukrainë dhe përdorimi si armë i energjisë nga Putini, ka ndikuar nëpërmjet çmimeve të larta të energjisë elektrike”.

Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, sepse e kuptojmë se gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë dhe paqen e Evropës, e më e rëndësishmja, për jetën e popullit ukrainas. “Ne besojmë se asnjë vend demokratik nuk duhet të qëndrojë neutral përballë mizorisë dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë”.

“Si qeveri, ne po synojmë të mbrojmë qytetarët tanë nga rritja e çmimeve të energjisë, por edhe të sigurojmë që të ketë stimuj për të rritur efiçiencën e energjisë dhe për të ulur kërkesën për energji. Këtë vit kërkesa jonë për energji elektrike është ulur me mbi 6%. Ne synojmë ta mbajmë këtë trend duke subvencionuar familjet që kursejnë energji dhe blejnë pajisje efiçiente për ngrohje. Deri në fund të vitit, ne do të miratojmë Ligjin tonë të parë për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, do ta bëjmë më të lehtë për familjet dhe bizneset instalimin e paneleve diellore dhe do të hapim ankandin e parë për investitorët privatë”, ka shkruar Kurti, duke thënë se e ka falënderuar BE-në dhe Gjermaninë që kanë qenë partnerë tonë të palëkundur.

Nikoqiri i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjeve një “sukses jashtëzakonisht i madh për qytetarët e rajonit”, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

“Ky samit tregon se dëshira e përbashkët për të arritur marrëveshje është shumë e madhe, andaj Gjermania e përkrah fuqishëm këtë proces”, u shpreh Scholz në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjeve.

Ai shtoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.

Përveç bashkëpunimit rajonal, Scholz theksoi se “sfidat nga migrimi i parregullt, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje kyçe për të gjithë ne”, ndërsa shtoi se vendet ballkanike duhet t’i harmonizojnë politikat e vizave me BE-në. 

Related Articles