Kryeministri Albin Kurti ka folur për mbështetjen dhe punën me komunitetet jo shumicë në Kosovë.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Kosova është e të gjithëve dhe për të gjithë.
“Një republikë e të gjithëve, jo vetëm e shumicës. E tillë është Kosova. E tillë është qeverisja jonë. Në vitin 2022, mbështetëm 123 projekte për biznese të vogla dhe start-ups nga radhët e të gjitha komuniteteve. Këtë vit, ndamë për herë të parë një Fond të veçantë për komunitete jo shumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove, me të cilat financuam 259 grante për fermerë, start-ups dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete”.
“Me qëllim të njëjtë, themeluam dhe Grupin ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. Vitin e kaluar, 104 qytetarë të këtyre tri komuniteteve, përfituan nga trajnimet që ofrohen nga Qendra e Trajnimeve Profesionale – trefish më shumë se një vit më herët. Ndërsa të dhënat e Agjencisë së Punësimit për vitin 2022 tregojnë se është shënuar një rritje prej 31% të numrit të vendeve të punës që kjo agjenci ka gjetur për komunitetet jo shumicë, ndërkaq që numri i vendeve të punës për komunitete jo shumicë, përbën 12.5% të totalit të vendeve të punës të gjetura përmes kësaj agjencie”, ka thënë Kurti.