“Kurti kot mburret se mund ta ndalojë vizitën e Vuçiqit në Kosovë, pasi nuk pyetet për diçka të tillë”

“Kurti kot mburret se mund ta ndalojë vizitën e Vuçiqit në Kosovë, pasi nuk pyetet për diçka të tillë”

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mund të ndalojë vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Petkoviq ka thënë se Kurti kot mburret ” se nuk pyetet për diçka të tillë”, pasi sipas tij, ka marrëveshje që e rregullojnë këtë çështje.

“Nervozizmi i Albin Kurtit për marrëveshjen në Ohër, prej nga u kthye pa asnjë nënshkrim dhe njohje nga Beogradi, po përshkallëzohet çdo ditë. Prandaj kot mburret se mund ta ndalojë vizitën e presidentit Aleksandër Vuçiq në Kosovë, pasi ai nuk pyetet për diçka të tillë”, ka thënë Petkoviq.

“Në Ohër është rënë dakord në mënyrë të qartë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë, prandaj edhe Marrëveshja për vizitat zyrtare, sipas së cilës Prishtina mund të marrë parasysh vetëm vizitën e zyrtarëve nga Beogradi në territorin e Kosovës, dhe jo ta miratojë ose ta ndalojë atë”, tha ai.

Në kuadër të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet kanë arritur Marrëveshje për vizitat zyrtare, e cila ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, 2014.

Aty janë përcaktuar edhe afatet kohore se kur mund të dërgohen kërkesat për vizita dhe kur palët mund ta refuzojnë një vizitë të zyrtarëve të shtetit tjetër.

Related Articles