Kurti kritikohet për vendimin që të mos paraqitet në prokurori

Kurti kritikohet për vendimin që të mos paraqitet në prokurori

Kryeministri Albin Kurti është kritikuar se me qëndrimin për të mos iu përgjigjur ftesës së Prokurorisë për intervistim si dëshmitar, po jep shembull se politikanët dhe qytetarët nuk janë të barabartë para ligjit. E këtë refuzim, që e parasheh edhe rrethanën e sigurimit të prezencës së tij me forcë në Prokurori, juristë e analistë politikë e vlerësuan si një skenar të mundshëm për të gjeneruar përkrahje elektorale.

Kryeministri Albin Kurti po e jep shembullin e një politikani mbi ligjin, e vlerësuan të shtunën juristët e analistët politikë në Kosovë refuzimin që ai ia bëri organit të akuzës për t’u paraqitur në Prokurori për intervistim

Kurti u ftua nga Prokuroria Speciale që të dëshmojë për një rast të korrupsionit, porse këtë kërkesë e ka refuzuar të premten, për të dytën herë.

Me këtë qëndrim, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se kryeministri po demonstron se para ligjit, qytetarët dhe udhëheqësit e shtetit nuk janë të barabartë.

“Kjo paraqet një lloj pabarazie në aspektin e përgjigjes ndaj institucioneve të drejtësisë në raport me qytetarin e Republikës. Krerët e shtetit, veçanërisht pushtetit, i ikin drejtësisë ndërsa nga qytetarët kërkohet në vazhdimësi nga Ministria e Drejtësisë e nga kryeministri Kurti që në një formë ose tjetër t’u përgjigjen organeve të drejtësisë”, ka thënë Sadiku.

Kryeministri kërkoi që prokurorët t’i shkojnë në zyrë për intervistim, meqë, siç thanë në kabinetin e tij, kjo është praktikë e krijuar nga kryeministrat paraprakë.

Por, avokati Valdet Hoxha, thotë se Prokuroria është shtyllë e veçantë e pushtetit dhe nuk i nënshtrohet asnjë autoriteti tjetër, përveç në rrethana të jashtëzakonshme.

“Prokurori i Shtetit është një institucion i pavarur dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’u përshtatet agjendave politike ditore të asnjë politikani, qoftë edhe kryeministër i vendit. Vetëm në raste të jashtëzakonshme, në raste të sëmundjeve apo paaftësive të ndryshme të argumentuara të palës ose dëshmitarit atëherë mund të ndërrojë lokacioni i intervistës”, ka thënë avokati Hoxha.

Hoxha tregoi edhe veprimet që mund të ndërmerren po qe se kryeministri nuk i përgjigjet thirrjes për dëshmi, edhe të tretën herë.

“Paraqitja e dëshmitarit është e detyrueshme. Në të kundërtën, Kodi i Procedurës Penale parasheh një gjobë fillimisht në 250 euro dhe në qoftë se i njëjti refuzon të paraqitet apo refuzon të dëshmojë, Kodi parasheh që i njëjti edhe mund të burgoset në maksimum deri në një muaj burgim”, ka thënë ky avokat.

Por rrethana e sigurimit me forcë të pranisë së dëshmitarit në prokurori, sipas analistit Sadiku mund të jetë edhe skenar i kryeministrit për të gjeneruar përkrahje elektorale.

“Kjo mund të jetë ndoshta një skenar, ku z. Kurti mund të presë nga Prokuroria që të arrestohet me dhunë dhe këtë pastaj ta përdorë elektoralisht për nevoja të tij gjatë kësaj fushate elektorale dhe të presupozojë që kjo mund t’i sjellë rritje të votave dhe nxitjen e militantëve të tij që, le të themi, ta mbështesin më fortë në fushatën e ardhshme elektorale”, ka thënë ai.

Në Prokurorinë Speciale nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse do ta pranojnë ndërrimin e lokacionit të intervistimit të Kurtit nga Prokuroria në Kryeministri.

Related Articles