Kurti kujton trazirat e marsit: 20 vjet pas, ia rikujtojmë vetes se paqja e siguria nuk mund të merren të mirëqena

Kurti kujton trazirat e marsit: 20 vjet pas, ia rikujtojmë vetes se paqja e siguria nuk mund të merren të mirëqena

Sot u bënë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Katër fëmijë shqiptarë u ndoqën nga një grup i të rinjve të komunitetit serb. Për të shpëtuar nga sulmi, ata u hodhën në lumin Ibër, prej nga i gjallë doli vetëm Fitim Veseli.

Nisur nga kjo, trazira shpërthyen dhe eskaluan në dhunë në gjithë Kosovën.

Trazirat kishin përfshi thuajse tërë territorin e Kosovës, ndërsa ishin Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPVK), Administrata e Kombeve të Bashkuara që menaxhonte Kosovën (UNMIK) dhe trupat e paqeruajtëse të Aleancës Veri Atlantike në Kosovë (KFOR), ato që u angazhuan fuqishëm për menaxhimin e situatës e cila kishte dalë nga kontrolli.

Teksa ka kujtuar trazirat e marsit të 2004-s, kryeministri Albin Kurti ka shkruar se ngjarjet e asaj periudhe rikthejnë në vëmendje se paqja dhe siguria s’duhet të merren si të mirëqena e se ato duhet të mbahen, ruhen e mirëmbahen vazhdimisht.

Kurti thotë se kjo ndodhi në një kohë e kontekst me përplot paqartësi për të ardhmen e vendit, pas luftës për të cilën plagët e kujtimet ishin ende shumë të gjalla teksa drejtësia për krimet, vuajtjet e dëmet e përjetuara nuk shihej asgjëkundi.

“Lajmi për mbytjen në lum të Egzon Deliut, 13 vjeç, Avni Veselit, 12 vjeç, dhe Florent Veselit, 9 vjeç, u shpërnda rrufe dhe jehoi kobshëm në çdo cep të vendit. Protestat e qytetarëve në rrugë ishin përgjigjja e menjëhershme. Pa thirrje të organizuar e pa organizim në mbarëvajtje, ato shumë shpejt morën përmasa masive duke përfshirë gjithë Kosovën”, ka shkruar Kurti në Facebook

“E kur protesta është spontane e pa organizim, që ajo të jetë paqësore dhe e qetë duhet që secili pjesëmarrës të jetë paqësor e i qetë. Ndërsa për t’u bërë e dhunshme mjaftojnë vetëm një grusht i protestuesve të jenë të tillë. Dhe kështu ndodhi. Madje, fillimisht ato ishin të drejtuara kundër UNMIK-ut e, më pas, se kush i orientoi drejt vendbanimeve me serbë dhe kishave e manastireve ortodokse nuk u sqarua asnjëherë”, vijon reagimi i kryeministrit.

Kurti në Facebook ka shkruar se ka mbetur ende e paqartë se kush i orientoi disa grupe të protestuesve drejt vendbanimeve serbe e kishave dhe manastireve ortodokse. Ai ka thënë se Kosova s’kishte përgatitje institucionale, siç e ka tani për ta parandaluar a depërshkallëzuar situatën.

Related Articles