Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë mbrëmjen e sotme në ngjarjen e organizuar për shënimin e 25 vjetorit të misionit të OSBE-së në Kosovë.
Në fjalën e tij, duke shprehur se ky vit shënon 25 vjetorin e paqes dhe çlirimit në Kosovë, si dhe 25 vjetorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, kryeministri tha se ndërsa festojmë këto momente historike, ne gjejmë gjithashtu kohën për të njohur individët dhe institucionet që kanë luajtur një rol kryesor në sigurimin e lirisë dhe paqes që e gëzojmë sot, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
“Një figurë e tillë është ambasadori William Walker. Para se OSBE-ja të kishte një mision në Kosovë, pati një mision verifikues të udhëhequr nga ambasadori Walker. Ky mision ishte dëshmitar i një prej masakrave më të tmerrshme në vendin tonë, masakrën e Reçakut, ku u vranë 45 civilë – e cila ishte një nga mbi 400 masakrat e kryera nga aparati shtetëror serb në Kosovë. E vërteta për këtë masakër ekspozoi brutalitetin që po përballonte Kosova dhe ndihmoi në nxitjen e ndërhyrjes së NATO-s.” tha kryeministri.
Më tej, nënvizoi se gjatë viteve OSBE-ja ka ndihmuar shtetin tonë në ngritjen e një demokracie më të fuqishme duke investuar në sigurinë dhe të drejtat e njeriut, e ku ndër nismat e saj përmendi mbështetjen për Akademinë të Policisë, ndihma për transmetuesin publik dhe me institucionet që mbikëqyrin proceset zgjedhore, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me ambasadorin Davenport dhe misionin e OSBE-së në Kosovë, veçanërisht sa i përket komuniteteve joshumicë. “Në një kohë kaq të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe rajonit, jam mirënjohës për profesionalizmin, kujdesin dhe mbështetjen e treguar, si dhe për pasionin për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, demokracinë dhe prosperitetin e popullit dhe shoqërisë sonë.” u shpreh Kurti.
Në përfundim, kryeministri theksoi se parimet dhe vlerat e OSBE-së si organizatë rezonojnë thellë në demokracinë e vendit tonë dhe se Kosova është një partner i besueshëm dhe do të vazhdojë të jetë një aleat i vlefshëm në rrugën përpara.