Përmes një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, u shpalosën detaje nga takimi mes kryeminitrit Albin Kurti dhe ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias.
Gjatë qëndrimit të ministrit grek Dendias, në Kosovë, Kurti e ftoi në darkë, njofton ZK.
Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve të cilat, siç tha kryeministri, po zhvillohen gjithnjë e më shumë. Kjo është dëshmi edhe e njohjes së vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe të demokracisë, shtoi ai.
Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti rikujtoi që 22 vende të Bashkimit Evropian dhe 26 vende të NATO-s, tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe theksoi nevojën për mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Ministri i jashtëm grek, Dendias, tha se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe se Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit. Ai shtoi se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
Theks të veçantë gjatë bisedës pati agresioni dhe invazioni rus në Ukrainë dhe ndikimi që mund të ketë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. /GazetaEnigma