Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një darkë pune me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO, David Baker, i shoqëruar nga e Ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Mikpritës i darkës ishte ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe SHBA-së, me theks të veçantë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin e SHBA-së në garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon.
Kryeministri Kurti e informoi zyrtarin amerikan për zhvillimet e fundit në vend, investimet në mbrojtje gjatë mandatit të tij si dhe nevojën për rritjen e shkëmbimeve tregtare e investimeve nga SHBA-të.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës dhe veçanërisht ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe konfirmoi përkushtimin e Qeverisë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit në sektorin e mbrojtjes, përfshirë edhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.
Në darkën zyrtare ishin të pranishëm edhe Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, dhe zyrtarë të tjerë të lartë institucionalë. Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi strategjik dhe miqësie të qëndrueshme mes dy vendeve.