Kurti në Tiranë e mori ‘aminin’ për marrëveshjen e Ohrit

Kurti në Tiranë e mori ‘aminin’ për marrëveshjen e Ohrit

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një prej temave që e ka preokupuar Kosovën për më shumë se një dekadë.

Nga viti 2011 kur filluan negociatat me kërkesë të faktorit ndërkombëtar, nuk është se bisedimet çdo herë kanë shkuar rrjedhshëm ndërmjet të dyja vendeve, njofton Klankosova.tv.

Madje ato u ndërprenë disa herë për shkak të tensioneve politike që rezultuan edhe me kriza në veri të Kosovës si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët që banojnë në Kosovë, por që dirigjohen nga Serbia.

Sa herë që kërkohej që palët t’i kthehen dialogut, Serbia si pretekst e përdorte moszbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – një zotim ky që e kishte marrë përsipër Kosova në vitin 2011 në Bruksel, me Hashim Thaçin në krye të qeverisë.

Për të njëjtën gjë u zotua në vitin 2015 edhe kryeministri Isa Mustafa, por kur e njëjta marrëveshje iu dërgua Gjykatës Kushtetuese për vlerësim, kjo e fundit konstatoi se nuk është në përputhje me frymën kushtetuese.

E pikërisht këto marrëveshje, i pati kundërshtuar fuqishëm atëbotë aktivisti politik, Albin Kurti, duke i krahasuar me “Zajednicën” që e pengojnë funksionalizimin e plotë të Bosnje e Hercegovinës.

Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Asoaciacionit

Tani me një luftë që po zhvillohet në kontinentin e Evropës, presioni ndërkombëtar për ta integruar Serbinë në Bashkimin Evropian dhe për ta larguar atë nga ndikimi rus, duket se është shtuar.

Por, siç e tha javë më parë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për t’u anëtarësuar në BE, Serbisë do t’i vendoset si kusht që ta njoh Pavarësinë e Kosovës.

E për ta përshpejtuar këtë proces, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca emëruan emisar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor e ku dialogu Kosovë-Serbi është kryetemë.

Në dhjetor të vitit 2022, nisi të qarkullojë nëpër media një propozim i quajtur franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili më vonë u cilësua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si bazë e mirë për bisedime.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kurti dhe Vuçiqi u pajtuan se nuk do të kenë nevojë të diskutojnë tutje për tekstin e këtij propozimi, kështu bëri të ditur Përfaqësuesi i Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell.

Pastaj më 18 mars në Ohër, palët u takuan sërish për t’u marrë vesh për implementimin e kësaj marrëveshjeje, në të cilën neni 7 ka të bëjë me vetmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë si dhe me statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

Pas marrëveshjes, Kurti në një konferencë para gazetarëve në Ohër tha se me këtë ujdi, Kosova e fiton njohjen de-facto nga Serbie, megjithëse asnjëra palë nuk e ka vënë nënshkrimin në marrëveshje.

Mirëpo kështu nuk po vlerëson edhe opozita në Kosovë. Sipas tyre, Kurti në krye të pozitës e pranoi atë që aq shumë e kishte kundërshtuar si opozitar. Madje u organizua proteste dhe nëpër sheshet e Prishtinës u vendosen mbishkrime “Albin Zajednica”.

Grafit “Albin Zajednica”

Kurti insiston se fjala “Asociacion/Bashkësi” është zëvendësuar me atë “Vet-menaxhim”, dhe kështu sipas tij, kjo është më pak e dëmshme për Kosovën. Mirëpo vlen të theksohet se neni 10 i kësaj marrëveshjeje të arritur në Bruksel dhe në Ohër, obligon palët që të zbatojnë “të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut”.

Se si do të funksionojë ky vetëmenaxhim për komunitetin serb brenda shtetit të Kosovës, kjo pritet të shihet deri në themelimin e tij.

Të dielën, kryeministri Albin Kurti qëndroi për vizitë në Tiranë, ku u takua me presidentin Bajram Begaj, kryekuvendaren Lindita Nikolla, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë së Lirisë, ish-presidentin Ilir Meta.

“Secilin prej tyre e njoftova për së afërmi me procesin e dialogut, takimin e 18 marsit në Ohër, marrëveshjen e arritur atje dhe elementet përbërëse të saj, krahas progresit të shënuar në Kosovë gjatë qeverisjes sonë dyvjeçare. Takimet ishin të përzemërta. Mbështetja ishte e qartë. Falënderoj krerët e institucioneve shqiptare për mikpritjen”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook, njofton Klankosova.tv.

Po mund të vërehet që Kurti ka filluar të punojë në këtë drejtim. Në Shqipëri ai e mori pëlqimin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Tani mbetet të shihet nëse do ta marrë pëlqimin edhe në vendin ku e kishte kundërshtuar një gjë të tillë.

Related Articles