Kuvendi i Kosovës ka mbajtur debat parlamentar për zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Debati parlamentar lidhur me dialogun është iniciuar nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në kërkesën e shkruar ka thënë se në dy vitet e fundit, dialogu ka hyrë në rrugën që nuk çon drejt marrëveshjes finale.
Mirëpo largimit i kryeministrit nga salla, e dërgoi Kuvendin në një pauzë njëorëshe.
Seanca rifilloi pas rreth gjysmë ore vonesë, derisa kryeministri nuk u kthye në sallë.
“Kjo seancë është ftuar nga opozita dhe ne si pozitë kemi qenë të gatshëm për të diskutuar për këtë temë. Në bazë të informatës që kam kryeministri është në një takim dhe prezent për të diskutuar për këtë temë është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që është edhe përgjegjës për dialog”, ka deklaruar shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Mirëpo shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pa prezencën e kryeministrit debate nuk ka kuptim.
“Ne e kemi ftuar këtë seancë që të debatojmë me kryeministrin për dialogun Kosovë-Serbi. Nuk ka kurrëfarë kuptimi debate të vazhdojë pa prezencën e kryeministrit pasi kjo i bie që të flasim me vetën. Ne mund të presim nëse ju garantoni se kryeministri vjen edhe pas 15 minutave, por ndryshe nuk ka kuptim dhe e ndërpresim seancën dhe vazhdojmë kur të bëhen kushtet”, ka deklaruar Tahiri.
Edhe shefi i deputetëve të LDK, Arben Gashi ka thënë se pa prezencën e Kurtit nuk ka kuptim.
“Ky debat dhe këto diskutime duhet të bëhen me kryeministrin. Nëse ai ka ndonjë arsye pse nuk është këtu duhet të tregojë. Nëse nuk ndjehet mirë, e presim derisa t’i kalojë pastaj vazhdojmë”, ka deklaruar Gashi.
Derisa me dy partitë tjera opozitare është dakorduar edhe AAK-ja.
“Seanca nuk ka kuptim pa kryeministrin”, ka deklaruar shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.
Pas këtyre deklarimeve kryesuesja e seancës Saranda Bogujevci ka ndërprerë punimet e Kuvendit për të vazhduar në një ditë tjetër.