Kurti nuk shkoi sërish për të dëshmuar në Prokurori, bëhet lajm në mediat ndërkombëtare

Kurti nuk shkoi sërish për të dëshmuar në Prokurori, bëhet lajm në mediat ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar edhe njëherë tjetër të dëshmojë në Zyrën e Prokurorit Special.

Ai është i ftuar si dëshmitar për një rast të dyshuar korrupsioni me rezervat shtetërore.

Veprim i tij, jo vetëm që ka bërë bujë në vend, por është trajtuar edhe në mediat ndërkombëtare.

Është agjencia e lajmeve Associated Press ajo që ka raportuar për këtë refuzim, duke e sqaruar në pika të shkurta rastin.

“Kurti, i cili fillimisht u ftua në dhjetor dhe refuzoi, ka kërkuar që dëshminë ta japë në zyrën e tij. Ai nuk është i akuzuar në këtë rast, por zyrtarë tjerë po. Pak detaje janë bërë publike”, ka raportuar AP, transmeton Gazeta Enigma.

Agjencia më tej e citon Kurtin të ketë thënë se kërkesën e prokurorisë e konsideron si të motivuar politikisht.

“Po e përdorë dhe keqpërdorë lirinë e saj për të luftuar qeverinë, jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj”, u ka thënë Kurti gazetarëve, sipas AP.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe kryeprokurori e kanë mbështetur kërkesën për ta ftuar Kurtin dhe kanë hedhur poshtë pretendimet e tij se po mbajnë anë politike, duke shtuar se fjalët e tij “dëmtojnë rëndë funksionimin e institucioneve demokratike”.

Përveç AP-së, për këtë rast kanë raportuar edhe shumë media tjera, si: “The Washington Post”, “The Independent”, “The Hamilton Spectator”, “Times Union”, “Yahoo Neës”, e të tjera. /Gazeta Enigma

Related Articles