Kryeministri Albin Kurti nuk është zbrapsur nga qëndrimet e tij për Urën e Ibrit, për hapjen e të cilës ka thënë se “s’është kundër askujt”, shkruan Gazeta Enigma.
Ai në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se hapjen e urës e shohin si vendim të drejtë dhe të nevojshme për tu bërë.
“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme. Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet”, theksoi Kurti.
“Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka thënë Kurti.
Bashkësia ndërkombëtare e kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
Ndërkohë KFOR-i ka thënë se çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të merret në dialog. / GAZETA ENIGMA.