Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.
Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë takimit kryeministri Kurti e ka falënderuar ambasadorin Whitaker për mbështetjen “jetike, të vazhdueshme dhe të palëkundur” të SHBA-së ndaj Republikës së Kosovës.
Teksa ka shprehur mirënjohje, Kurti ka folur për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Ai ka theksuar se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë.
“Kryeministri Kurti vlerësoi se prania e NATO-s në Republikën e Kosovës, dhe veçmas ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet kruciale për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ai theksoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte kontribut i rëndësishëm dhe do të shërbente si garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan.”, thuhet në njoftim.
Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Kurti ka thënë se ajo mbetet e brishtë për shkak se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të ndjekë politikë hegjemoniste rajonale.
Ai ka folur edhe për armatosjen e fqinjit verior, me theks blerjet e fundit nga Rusia dhe Kina, si kërcënime për stabilitetin afatgjatë rajonal dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan. Në këtë kontekst, ai ka përmendur bazat e përparme operacionale të Serbisë përreth kufirit me Republikën e Kosovës.
