Kurti pas takimit me deputetët e Parlamentit austriak: Situata në Veri është e vështirë

Kurti pas takimit me deputetët e Parlamentit austriak: Situata në Veri është e vështirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur të dielën në takim një delegacion shumëpartiak të deputetëve të Parlamentit të Austrisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Kosovën, të shoqëruar nga ambasadori i Austrisë në Prishtinë, Christoph Weidinger.

“Bashkë me kryeministrin Kurti, i cili mirëpriti këtë takim që i shërben fuqizimit dhe sinkronizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, ishte edhe nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Austrinë në Kuvendin e Kosovës, deputetja Tinka Kurti”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në këtë takim Kurti ka folur për situatën në veri, duke thënë se është e vështirë për shkak të Serbisë, e cila “të mërkurën kreu akt agresioni mbi Kosovën, kur njësitë ushtarake e policore të Serbisë rrëmbyen tre policë të Kosovës në brendi të territorit të Republikës së Kosovës”.

Qeveria njofton se kryeministri ka ndarë me deputetët dëshmitë që “tregojnë qartë shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, të bëra publike në konferencën e përbashkët me ministrin Sveçla”.

“Në lidhje me ngjarjen e ditës së mërkurë, ai shtoi se faktori ndërkombëtar duhet të reagojë dhe ta dënojë ashpër sjelljen dhe veprimin e Serbisë, duke i ftuar edhe deputetët që ishin prezentë, dhe të kërkohet lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Ai gjithashtu thuhet se i ka falënderuar deputetët austriakë për vizitën dhe i ka njoftuar me qeverisjen dy vjeçare dhe mbi zhvillimet e fundit, me theks te progresi ekonomik dhe demokratik, dhe te situata në katër komunat në veri të vendit.

“Këto dy vite kanë qenë vite të rritjes dhe luftës kundër korrupsionit. Kryeministri nënvizoi rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja të cilat gjatë qeverisjes sonë janë dyfishuar, dhe të hyrat tatimore të cilat janë shtuar për 2/3. Ai po ashtu iu referua raporteve ndërkombëtare si Transparency International, Projektit të Drejtësisë Botërore, Reporterëve pa Kufij e Freedom House, që vënë në pah rezultat e sundimit të ligjit dhe të avancimit të lirive dhe të drejtave”.

“Deputetët që vinin nga radhët Partisë së Popullit (ÖVP), Partisë së Lirisë (FPÖ) dhe asaj Social Demokrate (SPÖ), u shprehëm mirënjohës për takimin dhe bisedën. Ndër të tjerash, u dha edhe vlerësim pozitiv për punën e Qeverisë, sidomos në luftimin e korrupsionit, gjë që po vlerësohet në Evropë nga të gjithë, siç u shpreh njëri prej tyre. Kryeministri Kurti falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht së fundmi me votën PËR në fazën e fillestare të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, përfundon njoftimi.

Related Articles