Kurti pas takimit me Macron: Diskutuam për sigurinë, NATO-n dhe rrugën evropiane

Kurti pas takimit me Macron: Diskutuam për sigurinë, NATO-n dhe rrugën evropiane

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij në Paris ka zhvilluar një takim dhe drekë pune me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize.

Përmes një postimi, Kurti tha se diskutimet me Macron kanë zgjatur rreth dy orë dhe janë fokusuar në çështje të rëndësishme të sigurisë dhe integrimeve evropiane.

“Pata kënaqësinë sot të zhvilloj vizitë dhe të kem drekë pune në Pallatin Elize në Paris me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron”, ka shkruar Kurti.

Ai bëri të ditur se në takim është diskutuar për rolin e NATO-s në Kosovë, angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian dhe përkushtimin e Kosovës për harmonizim me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

“Për rreth dy orë diskutuam për rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian, si dhe për përkushtimin e Republikës së Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, thuhet në postim.

Kryeministri theksoi se nga Presidenti francez ka kërkuar mbështetje për rrugën evropiane të Kosovës dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Nga Presidenti Macron kërkova mbështetjen e Francës në rrugën tonë drejt integrimit në BE e organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë”, ka theksuar ai.

Kurti shtoi se në takim janë ngritur edhe çështjet e sigurisë, forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizim të plotë.

Në fund, ai falënderoi Presidentin francez për pritjen dhe mbështetjen.

“Falenderoj Presidentin Macron për pritjen e përzemërt dhe mbështetjen e Republikës së Francës në ecjen e Republikës sonë përpara”, përfundoi Kurti.

Related Articles