Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se vendi është përballur me një prej kërcënimeve më të mëdha që nga paslufta, me sulmin e 24 shtatorit që la të vrarë policin Afrim Bunjaku. Kjo situatë, shqetëson disa partner ndërkombëtarë të vendit, por sipas shefit të Qeverisë, disa prej diplomatëve “frikësohen”.
Kurti në një diskutim me shoqatën shqiptare të Universitetit të Columbias, e përsëriti se rreth 80 persona të armatosur hynë në Kosovë më 24 shtator.
Më pas, pyetja që iu bë kryeministrit, ndërlidhej me atë se a konsideron që dëgjohet nga partnerët në thirrjet e tij në raport me situatën.
“Mendoj që ata e kuptojnë. Me kalimin e kohës, ata janë duke e konsideruar më serioz tentimet për destabilizim nga Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Më 29 shtator, Shtëpia e Bardhë bëri një komunikatë të paprecedentë. Z. Sullivan dhe z.Kirby alarmuan dhe dënuan mbledhjen e trupave serbe te kufiri ynë me ta. Disa ditë pas sulmit në Zveçan, trupat ushtarake…mendoj që janë duke i kushtuar më shumë vëmendje përshkrimeve tona.” – u shpreh ai.
“Disa frikësohen…”
Kryeministri Kurti përsëriti që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është një “Putin i vogël” dhe se organizuesi i sulmit, Milan Radojiçiq, është një “Priguzhin i vogël”.
“Shembull, Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, që i shpallëm organizata terroriste, janë Ëagner ëanna be. Putini i vogël në Beograd, Aleksandër Vuçiq ka Prigozhinin e vogël në Kapoanik, Radojiçiq. Mendoj që këto analogji për funksionojnë.” – deklaroi kryeministri.
Sipas Kurtit, disa prej partnerëve ndërkombëtarë alarmohen me informatat e dhëna nga Qeveria për veriun dhe “mendojnë si ta mbrojnë Kosovën”, por disa të tjerë, ai pretendon se “po frikësohen”.
“Në diskutimet tona me bashkëbiseduesit tanë nga Perëndimi, partnerët, miqtë e aleatët…por, duhet të them që në një mënyrë të dyfishtë. Disa pej tyre alarmohen dhe mendojnë se si ta mbrojnë Kosovën, dhe mendoj që komunikata e Këshillit Kombëtar të Sigurisë ishte kështu, por duhet ta pranojë, mes miqësh këtu me ju, që disa politikanë dhe diplomatë, pasi tregojmë përshkrimet dhe arsyetimet, ata frikësohen. Dhe kjo nuk ndihmon, e kuptoni? Kështu, që do të doja që ata të shqetësohen, e jo të frikësohen.” – tha ai.
Kryeministri deklaroi që kur diplomatët frikësohen, mendojnë se “çfarë mund të bëjmë që ta kënaqim paksa Serbinë”, gjë që sipas tij, nuk ndihmon në deeskalimin e situatës.
“Sepse kur frikësohen, ata mendojnë, në rregull, çfarë mund të bëjmë që ta kënaqim Serbinë paksa, kështu që ata dorëzohen në tentimet për destabilizim. Është shumë mirë që ne i alarmojmë ata, por me kushtin që mos të frikësohemi. Ne e dijmë nga jeta dhe politika, që kurrë nuk mund të frikësohesh në sasinë e duhur, por e tejkalon frikën… Ne duhet të punojmë më shumë, mendoj këtu, ndonjëherë shqetësohem që mund të bëja më mirë.” – tha kryeministri i vendit.