Sot, sektori publik do të nis grevën e përgjithshme.
Greva vjen si pasojë e mos arritjes së një marrëveshje në mes të sindikalistëve dhe institucioneve për ta parandaluar një gjë të tillë.
Marrëveshje me qeverinë ka kërkuar kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, i cili tha se pret nga qeveria të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, e në rast se vazhdon me qasjen, sipas tij, barrikaduese, greva do të nis qysh sot e do të vazhdojë edhe pas 1 shtatorit.
“Nëse gjërat ndodhin kështu, dhe Qeveria vazhdon me barikadimin dhe qasjen e gabuar ndaj kërkesave tona, fatkeqësisht po them se greva do të fillojë më 25 gusht dhe do të vazhdojë gjeneralizimin e kërkesave nga çerdhet e deri në universitet. Pra grevë do të ketë edhe më 1 shtator e tutje, nëse qeveria ka këtë qasje”, ka thënë Jasharaj në Info Magazine të Klan Kosova.
Kurse, ishte kryeministri i vendit, Albin Kurti, ai i cili në konferencë për media tha se nuk është koha për grevë por për punë.
“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, sot kur pritet të nis greva, anëtarët e këshillit grevist të BSPK-së do të vizitojnë çerdhen “Yllkat” si dhe grevistët e administratës komunale në komunën e Prishtinës.
Se grevë nuk duhet të ketë është shprehur edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se pret që kryesia e SBAShK-ut të reflektojë në mënyrë që mësimi të fillojë më 1 shtator.