Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e sotëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshje së Brukselit dhe atë të Ohrit.
Kurti tha se Vuçiqi nuk ka dhënë asnjë propozim dhe rrjedhimisht takimi ka përfunduar pa rezultat, teksa shtoi se nuk ka mundur të ketë kompromis, pasi sipas tij, nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuecncë dhe kushtëzimit të vjetër – Asociacionit.
“Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse më tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendej që ta sjellin dhe vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dyfaqësh në anglisht dhe cirilike që paraqet një dokument të vjetër së paku 6 muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar i palës serbe, por ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe eventualisht pastaj mund të kalojmë në marrëveshjen bazë”, tha Kurti.
Tutje, Kurti shtoi se iu desh t’i thotë Borrellit e Lajçakut se nuk janë në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ishte Ashton, Kupper, Thaçi e Daçiq.
“Neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohet të gjitha marrëveshjet, të cilat janë të obligueshme e valide e janë 39 sosh. Por nuk mund të përzgjedhet vetëm një e tillë e të vendoset sikur qerrja para kuajve. Pra, një kushtëzim të tillë s’e kam pranuar”.
“Është për të ardhur keq që Lajcaku e ka pranuar një kushtëzim të tillë nga Serbia, dhe atë e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar Kosovën”.
“Pra, edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se 6 muaj që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë AKS-ja e pastaj shohim, nuk kemi qenë në dijeni që ka një dokument të tillë. Nuk mund të quhet propozim, por është kushtëzim”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se është për të ardhur keq që pikërisht kur është konstruktiv, shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu.