Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Mejë, duke kujtuar kështu 376 shqiptarët e vrarë nga forcat serbe, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërteten e krimeve të luftës.
“7 prill 1999 në Mejë dhe Korenicë, është më e madhja në historinë e luftës së fundit në Kosovë. Atë ditë, 26 vite më parë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në ditët në vijim, vazhdoi fshehja e trupave dhe shkatërrimi i dëshmive në vendin e krimit. Të vrarët u varrosën dhe u rivarrosën në disa lokacione”, ka shkruar ai.
Tutje kurti ka shkruar se “një pjesë e madhe e tyre u transportuan në Serbi, në varreza masive në Batajnicë. Krahas Batajnicës, ku janë gjetur 744 njerëz tonë të vrarë e të rrëmbyer, në Serbi janë zbuluar edhe katër varreza tjera masive, me mbi 200 shqiptarë, në Peruqac, Petrovo Selo, Kizhevak e Rudnicë. Mes civilëve të vrarë ishin edhe Gjovalin e Milan Markaj nga Korenica e Gjakovës. Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Batajnicë. Tri ditë pas rivarrimit të tyre në Mejë, më 27 maj 2003, nëna e tyre Pashke Krasniqi Markaj, dogji veten me benzinë, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhembjes për të bijtë”.
“Në hyrje të memorialit në Mejë, nderuam kujtimin e Nënës Pashke. Sot e gjithmonë përkulemi para sakrificës, forcës dhe qëndresës së nënave dhe familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Jo vetëm personat e rrëmbyer e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Ata janë në ankthin më të tmerrshëm pas luftës, në pritje të së vërtetës dhe drejtësisë për më të dashurit e tyre”, shkruan Kurti.
“Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë zhdukurve me dhunë nga Serbia. Institucionet e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se koha po kalon dhe dëshmitarët po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë. Në dhjetor të vitit 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Gjakovës”, tha ai.
Sipas Kurtit “është e domosdoshme këmbëngulësia dhe efikasiteti i sistemit tonë të drejtësisë, por gjithashtu edhe mbështetja ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura, të cilat kërkojnë përgjigje sa më parë. Sot e gjithnjë u bëj thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërteten e këtyre krimeve duke hapur arkivat, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për gjenocidin e kryer në Kosovë. Ky është themeli për një rajon paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm”.
“Nuk mund të ndërtohet paqja me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive teksa i mohojnë ato. Me dhembje e mall e pikëllim, sot dhe përherë, nderojmë martirët e Mejës e të Kosovës!”, ka përfunduar Kurti. /Gazeta Enigma/