Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dha një intervistë për agjencinë amerikane, Bloomberg.
Agjencia shkruan se Kurti sfidoi thirrjet nga aleatët kryesorë në SHBA dhe Evropë për të hequr dorë nga një konfrontim me Serbinë, duke këmbëngulur se duhet të jetë Beogradi që duhet të bëjë hapin e parë.
“Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit të saj,” tha kryeministri Albin Kurti në një intervistë telefonike për Bloomberg.
“Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme,” tha ai. “Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”.
Duke denoncuar kritikat e aleatëve si ‘të padrejta’, Bloomberg shkruan se Kurti e bëri të qartë se qeveria e tij nuk tërhiqet, pavarësisht presionit në rritje nga SHBA dhe Evropa.
“Nuk është mirë të bullizosh Kosovën”, tha ai. “Sa herë që Shtetet e Bashkuara kërkojnë diçka nga ne, ne nuk pyesim pse, por vetëm kur dhe si,” shtoi ai, duke e quajtur përjashtimin nga stërvitjet ushtarake si ‘të padrejtë’.
Kryeministri Kurti ende nuk ka ndryshuar qëndrim edhe pas vizitave të kësaj jave në Kosovë të ndërmjetësit evropian në dialog Miroslav Lajçak dhe të emisarit amerikan, Gabriel Escobar.
Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin gjatë kësaj jave.